Mihail Bulgakov (1891-1940), ashtu si romanet famëkeqe, ishte i rrethuar nga misteri.

Bulgakov njihej si njeri ekscentrik, spontan dhe jeta e tij ishte e rrethuar me thashetheme të shumta. Faqet e librave të mjeshtrit të penës mizërojnë nga reflektimet mbi natyrën njerëzore, ngrenë pafundësisht pyetje mbi ekzistencën e Zotit dhe Djallit, duke e vëzhguar shoqërinë bashkëkohore me një sy kritik, duke maskuar frymëzimin e një autobiografi.

Megjithëse i bllokuar në Rusinë e Stalinit, ai arriti të çlirojë një forcë të jashtëzakonshme krijuese. Një nga shkrimtarët më të famshëm në letërsinë ruse, lindi në Kiev në 1891, në një familje të pasur dhe thellësisht fetare. Qetësia fillestare e fëmijërisë u ndërpre nga vdekja e papritur e të atit, një ngjarje e dhimbshme që e bëri Bulgakovin të humbiste besimin. Pas mbarimit të studimeve për mjekësi, në vitin 1916, ai u transferua si oficer mjekësor.

Mjekësia, në veçanti figura e mjekut, do të jetë një motiv i përsëritur në shumë prej veprave të tij. Me shpërthimin e revolucionit të vitit 1917 dhe me luftën civile që pasoi, Bulgakov e braktisi karrierën shëndetësore për të shkruarin, që për të kishte qenë gjithmonë një pasion i fshehur.

Moska, një mjedis i pasur me stimuj kulturorë, ishte shtëpia e përsosur për një shkrimtar aspirues: qe shtëpia e tij deri në vdekje. Veprat e para mbërritën duke frekuentuar sallonet letrare (“Garda e Bardhë” , “Vezët fatale”, “Zemra e një qeni”), shoqëruar me problemet e para me censurën, e cila do të jetë një konstante në jetën e Bulgakovit.

Kryevepra “Mjeshtri dhe Margarita”, doli vetëm në fund të viteve 1960. Edhe tekstet teatrale, si dhe kritika letrare, u censuruan dhe panë dritë vetëm pas vdekjes së autorit. “Garda e Bardhë” nxjerr në pah një njerëzim të larmishëm: ka nga ata që ikin nga lufta dhe nga ata që qëndrojnë prapa, për të mbrojtur atë që duan më shumë. “Zemra e një qeni” është një satirë e mprehtë e shoqërisë sovjetike. “Mjeshtri dhe Margarita”, kryevepra e çuditshme dhe shumëplanëshe e Mihail Bulgakovit e pa dritën e botimit në vitin 1969, në Frankfurt.

I admiruar edhe sot për origjinalitetin e tij, romani ndjek tri linja narrative: satirike, e vendosur në Moskë në vitet 1930, bashkëkohore me autorin; ungjillor, i përqendruar te Jezusi dhe Ponc Pilati në vitin 27 pas Krishtit dhe në fund të dashuruarit, që ndjek evolucionin e marrëdhënies midis Mjeshtrit dhe Margaritës, zonjës së tij.

Mihail Bulgakov jetonte dhe punonte në një botë me transformim të shpejtë, me traditën dhe revolucionaren, tragjiken dhe komiken, të zakonshmen dhe fantastiken, ku laikët dhe besimtarët vazhdimisht përplaseshin.

Shkrimi i tij pasqyron puqjen e këtyre të kundërtave, gjë e cila e bën të vështirë ta vendosësh në një kategori letrare. Shumë nga veprat e Bulgakovit shënjohen nga struktura komplekse të komplotit dhe teknika narrative që endin së bashku nivele të ndryshme tregimtarie.