Uilljam Uordsuorth (William Wordsworth) ishte eksponent i rëndësishëm i rrymës letrare të romantizmit në Angli.

Autori u bë i famshëm pas botimit të përmbledhjes “Balada lirike dhe poezi të tjera”, botuar në anonimitet në 1798, së bashku me mikun dhe poetin e tij, Samuel Tejlor Kolerixh (katër poezi). Poezia “Narcisi” është njëherazi himn gëzimi e manifest poetik, është kuintesenca e poetikës së Uordsuorthit: metafora të shumta, similituda dhe personifikimi janë funksionale për ekspozimin në vargje të një ndjesie supreme gëzimi.

Shuma e përbërë nga bashkimi i dy pjesëve, – shkruante Robert Musil në një pasazh nga “Njeriu pa cilësi”, – mund të përkufizohet jo me mbledhje, por më tepër me zbritje, sepse tiparet e përbashkëta dalin vetëm në bazë të dallimeve”. Çifti letrar, që më shumë se çdo tjetër jepet për t’u kuptuar, duke u nisur nga një qasje e ngjashme, është dukshëm ai i përfaqësuar nga dy baballarët e romantizmit anglez, Samuel Tejlor Kolerixh dhe Uilljam Uordsuorth.

Kolerixh dhe Uordsuorth nuk nënshkruan “një libër” si çift, por “librin” që shënoi kryqëzimin mes shekujve XVII dhe XIX, midis besimit iluminist në arsye dhe përparim dhe vrullit të dyshimeve, të larmishme dhe ironike të romantizmit, duke i hapur rrugën një ndjeshmërie që në përgjithësi, ndonëse me disa mavijosje të pashmangshme, ka ardhur deri te ne dhe vazhdon të ushtrojë një magjepsje të konsiderueshme.

Kolerixhi i dyshimtë kishte frikë nga “vetmia fisnike”, që për Niçen ishte parakusht për çdo krijim artistik, ishte i prekur nga dëshira për absolutësi, unitet dhe tërësi kuptimesh, që realiteti dhe poezia nuk mund t’i kënaqnin plotësisht. Kërkimi i tij për sublimen rezultoi në një prirje për fragmentin, për punën e papërfunduar.

Nga ana e tij, Uordsuorth përcakton dhe kufizon universin e tij poetik në lidhje me Kolerixh, por vepron në një diferencim thelbësor në lidhje me mikun e tij. Duke pranuar se Sublimja është e paarritshme, ai artikulon vizionin për botën, duke u nisur nga një “ego lirike” që e mbështet veprimtarinë krijuese në imperativin etik të “Detyrës”, e vendos veten në një gjendje hapjeje totale ndaj të dhënave të realitetit dhe për këtë arsye është i gatshëm të zbatojë dhe më pas të rimodelojë ndjesinë e Bukurisë.

Narcisi
Endesha i vetmuar si një re
Që pluskon mbi lugina e kodra,
Kur befas pashë një turmë,
Një mori, narcisësh të praruar;
Buzë liqenit, nën pemë,
Që lëkunden e valëviten në puhizë.

Pareshtur si yjet që shkëlqejnë
Dhe vezullojnë në Rrugën e Qumështit,
Ata shtriheshin në një pafundësi
përgjatë skajit të një gjiri:
Me një vështrim pashë dhjetë mijë prej tyre,
Që lëkundnin kokat në vërtitje të gëzuar.

Valët kërcenin përkrah tyre;
por ata i kaluan valët vezulluese në hare:
Një poet mund të jetë i lumtur
Vetëm në shoqëri kaq të gëzuar:
I shihja e shihja, por nuk mendoja
Se çfarë pasurie më kishte ofruar spektakli:

Sepse shpesh, kur shtrihesha në divan,
Në moment përtacie apo kredhur në mendime,
ata shkëlqenin në syrin e brendshëm
që është lumturia e vetmisë;
atëherë zemra ime mbushet me kënaqësi,
Dhe kërcen me narcisët.

“Narcisi” përmbledh më së miri karakteristikat e veçanta të poetikës së Uordsuorthit, që interesohej për marrëdhëniet mes botës natyrore dhe ndërgjegjes njerëzore. Në poezi, ai tregon marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës, ndikimet, intuitat, emocionet dhe ndjesitë që lindin nga ky kontakt.

Një nga konceptet kryesore, është ideja se njeriu dhe natyra janë të pandashëm: njeriu nuk ekziston jashtë botës natyrore, por si pjesë aktive e saj. Natyra për të do të thotë diçka që përfshin natyrën e pajetë dhe njerëzore, çdo pjesë të së njëjtës së tërë. Natyra nënkupton edhe botën e perceptimeve shqisore, që tek shkrimtari gjejnë mjaft interpretim, në poezitë e përshkuara nga figura retorike e sinestezisë.

Gjithë krijimi i Uordsuorthit është konfiguruar si një perceptim, i filtruar dhe i rimodeluar nga “egoja lirike” e së Bukurës si figura më autentike e qenies sonë në botë, në saje të një qasjeje ndaj realitetit të përbërë nga afeksione dhe magjepsje. Dhe bukuria e saj është gjithashtu e jona. Duhet të jetë. Na duhet më shumë se kurrë, për të ndriçuar të paktën pjesërisht errësirën e dendur që na rrethon dhe na shtyp.