Më i popullarizuar në Evropë, se në vendlindje, ku ka fituar statusin e adhuruesit, Pol Auster dyshonte se do të arrinte ndonjëherë suksesin e dëshiruar.

Romanet e tij përshkohen nga fjali të gjata, komplekse dhe akrobaci gjuhësore. Lindi më 3 shkurt 1947, një nga autorët më të mëdhenj të postmodernizmit amerikan. “4321” është një roman i veçantë, që na mëson sesi zgjedhjet në dukje më të parëndësishme ndryshojnë jetën tonë përgjithmonë. Një libër unik në llojin e tij, një roman që të rrëmben, emocionon, mahnit; një histori që i përmban të katra.

Në romanin e tij, autori tregon jetën dhe aventurat e një të riu amerikan me origjinë ashkenazi, që jeton në Shtetet e Bashkuara në lulëzim. Në “4321”, shkrimtari postmodernist na çon të zbulojmë katër jetët e mundshme të Arçie Fergusonit. Nga ana tjetër, ne zgjedhim se si t’i lexojmë ato. Në rend rritës, 1234, zbritës, 4321, të shpërndarë, 3214; duke ndjekur herë pas here fazat e ekzistencës së Arçit në katër mundësitë e tyre, ose duke i dhënë fund të gjithë historisë përpara se të rifillojë një tjetër.

Pol Auster luan me lexuesin dhe me Arçin, siç do të bënte një marionetë e aftë dhe e zgjuar. Çdo histori është e mbushur me kthesa mizore të fatit dhe zakonisht përfshin fragmente autobiografike nga vetë jeta e Austerit.

Të jetosh është të zgjedhësh
“Ti nuk dëshiron ta ndryshosh botën, Arçi, ti dëshiron ta kuptosh atë në mënyrë që të arrish të jetosh në brendësi të saj”. Është disi ajo që i ndodh lexuesit të “4321”, i cili shfleton faqet me kuriozitet, i tërhequr nga forma unike e romanit dhe kërkon një çelës për të kuptuar këtë libër, i cili është një dhe gjithashtu më katërsh, poliedrik dhe i shumanshëm siç është vetë jeta. Dhe thellë brenda, është pak ajo që na godet menjëherë dhe na bën të dëshirojmë të lexojmë kryeveprën e Pol Auster: sa herë pyesim veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishim marrë një rrugë tjetër dhe jo atë që zgjodhëm?

Me “4321” përjetojmë mundësinë e pamasë që na ofron bota, por edhe forcën e fatit, që kapërcen çdo aftësi për të kuptuar.

Çfarë do të kishte ndodhur me jetën tonë, nëse në vend të asaj zgjedhjeje do të kishim bërë një tjetër? Çfarë personi do të ishim sot, nëse nuk do të kishim humbur trenin atë ditë, nëse do t’i përgjigjeshim përshëndetjes së asaj vajze, nëse do të ishim regjistruar në atë shkollën tjetër, nëse…

Çdo jetë fsheh dhe mbron brenda vetes gjithçka që nuk realizohet, që ka mbetur vetëm potencial. Dhe kështu, çdo individ ruan brenda vetes, si turistët në një anije natën, hijet e cilitdo njeriu tjetër që mund të ishte bërë.

Letërsia, në veçanti romani, ka eksploruar përherë “jetën virtuale”: jo jetën e kompjuterëve, por fatet alternative ndaj atyre të vendosura rastësisht ose historisë, thuajse përmes leximit ne jemi në gjendje të përjetojmë ekzistenca alternative. Auster ka vendosur të marrë vërtet këtë detyrë, që letërsia i ka dhënë vetes: dhe shkroi “4321”, romanin e të gjitha jetëve të Arçi Fergusonit, atë që kishte dhe ato që mund të kishte pasur. Që nga lindja e tij, Arçi ka marrë katër rrugë të ndryshme, që do të çojnë në jetë të ndryshme dhe jashtëzakonisht të ngjashme, me elemente që kthehen çdo herë në një maskë të ndryshme: të gjithë Arçit, për shembull, do t’i nënshtrohen magjisë së Amit madhështore.

Auster tregon katër jetët e mundshme të Arçit paralelisht, sikur të ishin katër libra në një, duke ndërtuar një vepër monumentale, me një magji marramendës dhe ritëm dikensian, për vrullin e jetës dhe të personazheve.

Por ka shumë më tepër për “4321”. Ka zbulimin e seksit dhe poezisë, ka protesta për të drejtat civile dhe vrasjen e Kenedit, ka sport dhe gjashtëdhjetë e tetë, është Parisi dhe Nju Jorku, ka të gjitha veprat e Austerit, si një bilanc i madh pjekurie, janë të gjithë mjeshtrit që e kanë frymëzuar, ka fat dhe fatalitet, ka vdekje dhe dëshirë.