Është e vështirë të rezistosh gjatë pa lexuar Dostojevskin, autorin që përfaqëson aftësinë e të zbërthyerit psikologjikisht të njeriut dhe frikërave të tij më të fshehura, shkrimtarin që shkrihet me anë të gjuhës, të mprehtë si tehu i thikës, në ankthin ekzistencial të çdo njeriu, të njeriut si i tillë, kësisoj e njohur nga gjithkënd, edhe për burrat e të gjitha kohërave.

Në studimet e mendësive, në përçartjet ngjethëse, në fjalimet në dukje të pakuptimta, në imazhet dhe frikërat e mendjes, ai gërmon aq thellë, sa na vë përpara frikës, ankthit dhe vuajtjeve tona të pavetëdijshme, egoja jonë vështron në pavetëdijen më të thellë, gati si në një pasqyrë, sikur të ishte “sozia” e tij dhe, nëse tashmë këto shqetësime të pranuara po i kapërcejmë disi, Dostojevski na ndihmon të zbulojmë qetësinë e brendshme.

Kur jeta na zhgënjen, na mashtron, na acaron, na pikëllon, na bën të shohim kudo armiq, një autor kaq i vetëdijshëm për dobësinë njerëzore, për “sëmundjen” e tij të brendshme, për ndërlikimin e tij, na bën të ndihemi të kuptuar, po jo më vetëm, na bën të rizbulojmë në mënyrë paradoksale shijen e jetës, një aftësi e rrjedhshme për t’u rikuperuar. Ashtu si tek poetët që këndojnë “të keqen e të jetuarit”, për shembull Leopardi, gjejmë tek Dostojevski një elegancë në analizimin e ekzistencën mizore dhe, në të njëjtën kohë, forcën për t’u ngritur dhe për ta dashur atë. E gjejmë shpesh idenë e dyshes në romanet e Dostojevskit, të sozisë, ku personazhet shihen si në një lojë pasqyrash, ku japin më shumë imazhe spekuluese të vetvetes.

Kemi dyzimin në letërsi, e mira dhe e keqja, drita dhe hija, shfaqje enigmatike të unit tonë të fshehur, madje dhe mbi të gjitha për veten tonë.

Autori do ta përkufizojë protagonistin Goljadkin, një zyrtar të zymtë dhe të ngrysur të punësuar në administratë, një kryevepër, një kryevepër dhimbjeje dhe dështimi. Në roman kemi dy Goljadkinë, cili do të jetë autentiku? Cili është i shtiruri dhe mashtruesi? Nuk arrijmë ta kuptojmë, ashtu siç nuk jemi në gjendje të kuptojmë se kush jemi në të vërtetë, ajo çfarë pranojmë dhe u demonstrojmë të tjerëve, apo ajo çfarë ndrydhim dhe përpiqemi të luftojmë.

Tek “Sozia” elementi mbizotërues është sfera e brendshme e protagonistit, ose më mirë shqetësimi i tij psikik. I shkruar pothuajse tërësisht në formën e një monologu të brendshëm, për rrjedhojë në vetën e parë, romani alternon dialogët e gjatë me reflektime, dyshime dhe përshtypje të një mendjeje të sëmurë, atë të protagonistit… Por ia vlen, na besoni.

Tema kryesore e “Sozia” është jashtëzakonisht aktuale. Tjetërsimi i njeriut nga një shoqëri që ndihet indiferente, kur nuk është armiqësore ndaj gjendjes së tij të mospërshtatjes.