Miti, legjenda, gruaja, autorja – Sylvia Plath lindi 90-vjet më parë. Nga familja e origjinës, tek ajo që krijoi vetë në moshë madhore, poetja e kishte të pamundur të gjente qetësinë. Gjithmonë pezull midis dritave dhe hijeve. Mes entuziazmit dhe depresionit. Mes vullnetit për të jetuar dhe dëshirës për të vdekur. Kështu e kaloi jetën e saj të shkurtër Sylvia Plath, poetja amerikane që u vetëvra në moshën 30-vjeçare. E lindur më 27 tetor 1932, kujtojmë ikonën feministe që shënoi një epokë dhe ende u flet të gjitha grave sot.

Brenda meje jeton një klithmë.
Çdo natë del jashtë
Duke kërkuar, me grremça, diçka për të dashur.
Më tmerron kjo gjë e errët që
fle brenda meje.
Dhe gjatë gjithë ditës ndiej rrotullimet e saj të ëmbla,
të lehta, keqdashjen e saj.

Plath ishte poete dhe shkrimtare e jashtëzakonshme amerikane, që me artin e saj qe në gjendje të përfaqësonte ndjenjën e tjetërsimit dhe mospërkatësisë ndaj ekzistencës vetjake. Sylvia i njihte mirë abiset e hidhërimit: me kalimin e viteve, ajo i kishte zhbiruar përmes shkrimeve, të thella dhe të drejtpërdrejta, që ishte për të një pikëmbështetje në lodhjen e ekzistencës dhe mirazhi i një katarsisi të parealizuar kurrë.

“Unë dëshiroj gjërat, që do të më shkatërrojnë në fund”, – shprehet ajo. Pas vdekjes tragjike, shkrimtarja u shndërrua në një simbol të rebelimit femëror kundër një shoqërie ende fort patriarkale, e cila nuk u la hapësirë për shprehje grave, ende shumë shpesh të zhvendosura në rolet kanunore të gruas dhe nënës. Një kompani që edhe për ata që zgjodhën një jetë profesionale, nuk lejoi kënaqësinë reale dhe njohjen e vlerës së tyre. Dëshira e saj për liri, lufta e brendshme përballë nevojës për të ridimensionuar veten dhe aspiratat e saj për të rihyrë në konceptimin femëror të kohës, e kishin lodhur deri në asht.

Ajo ndihej gjithmonë në një ekuilibër të pasigurt mes dëshirës për t’u pozicionuar si shkrimtare, apo të përqafonte jetën në të gjitha aspektet e saj dhe nevojës për t’u përshtatur me modelin që shoqëria e viteve ’60-të u imponoi grave. Ajo që përjetoi Plath ishte një botë mbytëse pa rrugëdalje, të njëjtën gjë e gjejmë të përshkruar në disa romane të kohës, si për shembull “Rruga revolucionare”,shkruar nga Richard Yates në 1961. Në romanin e saj të vetëm “Kambana e qelqtë”, botuar vetëm një muaj para vdekjes, Plath futi një imazh që e përshkruan shumë mirë mundim e saj shpirtëror.

Është gjithmonë shumë aktuale të lexosh këtë autore, “Poezitë” dhe “Ditarët”. Përveç se mori çmimin “Pulitzer” për poezinë në 1982, një njohje prestigjioze pas vdekjes për vlerën e saj letrare, pothuajse gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes së saj, Sylvia Plath mbetet një simbol i padyshimtë i rebelimit femëror. Ne e gjejmë atë si një prani të vazhdueshme në imagjinatën e kulturës së sotme pop, ku shumë personazhe femra e lexojnë shpesh ose e citojnë atë si një zëdhënëse për një mesazh proteste ante litteram kundër pretendimeve feministe.

Vdekja
Është një art, si çdo gjë tjetër.
E bëj jashtëzakonisht mirë.
E bëj të ndihem si në ferr.
E bëj të ndihet e vërtetë.
Fare mirë mund të pandehni se e kam thirrje.