Nobelisti Pablo Neruda mbetet poeti më i vlerësuar dhe më i njohur i letërsisë lationo-amerikane, mjeshtri i përjetshëm i vjershërimit për dashurinë dhe dëshpërimin.

Krahas angazhimit politik, shkrimtari është skalitur në memorien e adhuruesve të letërsisë për poezitë e dashurisë, kryeveprat e vogla, në të cilat pasionet njerëzore përkthehen në letër, vepra të vërteta si në vitet ’20-të, ashtu edhe pas gati një shekulli. Poezitë e nobelistit janë kënga e thjeshtësisë dhe jetës së përditshme, duke përqafuar kështu një audiencë jo domosdoshmërisht të përzgjedhur. Buka, gruri, një unazë, deti, qielli, sytë: poeti-piktor u jep jetë formave dhe ngjyrave të njohura për çdo lexues, të gjitha të lidhura me një ritëm si pakkush tjetër dhe të gërshetuara me aliteracione, përngjasime, metafora etj.

S’ka dyshim që Pablo Neruda ishte poeti më produktiv dhe më popullor nga të gjithë poetët e shekullit XX.

Nobelisti përfshihet në grupin e vogël të poetëve të mëdhenj të shekullit të kaluar. Le të themi se lindi në vitin 1920, në moshën 16-vjeçare, kohë kur në tetor të atij viti, i riu, prindrit e të cilit e kishin pagëzuar me emrin Ricardo Eliecer Neftali Reyes Basoalto, nënshkroi për herë të parë me emrin “Neruda” poezitë, për të cilat, ndjeu se ekzistonte për t’i shkruar. “Ka qenë privilegji i kohës sonë: me luftrat, revolucionet dhe trazirat e mëdha shoqërore, të kultivojmë më shumë terren për poezinë nga sa e imagjinonte dikush. Njeriut të zakonshëm i është dashur të përballet me të, duke sulmuar ose u sulmuar, në vetmi ose me turma njerëzish në mitingje publike”, – shprehet.

Vijon të mbetet një poet jashtëzakonisht popullor, edhe pse në kushte krejt të ndryshme. “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi” mban vulën e një prej përmbledhjeve më të mira. Neruda theu rregullat konvencionale që mbizotëronin ende në poezinë romantike së asaj kohe. Me shkrimet e tij të magjepste, ai hulumtoi sensualitetin e dashurisë dhe bukurinë e pashuar të ekzistencës, duke bërë një jetë plot vrull politik dhe poetik. Me gjithë inteligjencën dhe mendjemprehtësinë, transformimet dhe shtegtimet e shumta, Neruda ishte ose mësoi të ishte, një njeri i thjeshtë.