Selma Otilia Lovisa Lagerlof lindi më 20 nëntor 1858, e mirënjohur në mbarë botën për librin e mrekullueshëm “Udhëtimi i Nils Holgersonit”.

Selma Lagerlof, shkrimtarja e mirënjohur skandinave është femra e parë që u nderua me çmimin “Nobel” në Letërsi në vitin 1909, po ashtu qe femra e parë që ulej në Akademinë Suedeze më 1914. Romani i saj pacifist “I dëbuari” u botua në vitin 1918.

Universi i Selma Lagerlofit është i populluar nga magjistarët, shpirtrat e këqij të pyllit, kukudhët e zinj, por edhe zogjtë shpëtimtarë, ka një përsosuri bashkimi i hijes dhe i dritës.

Ky univers sa onirik, aq edhe poetik shpaloset në gjithë tregimtarinë e shkrimtares, në romanet e saj të çuditshëm, mbushur gjithë dashuri, mbi të gjitha në historinë e saj madhështore: “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit”.

E konsideruar shpeshherë si shkrimtarja që di të kalojë nga e kaltra e natës tek e kaltra e dëborës. Në veprat e saj kompozicioni ndjek rrjedhën normale, porse gjithnjë arrin të na trallisë, romane të cilët thuajse kurrë nuk na ofrojnë një veprim apo një ide në vijimësi logjike.

Jo rrallë ndodh që tregimet të na paraqiten me copëza. Në këtë kompozicion episodik, rrethanat e veprimit rishfaqen dhe ndërlidhen me mjeshtëri. Vijimësia e stinëve, sikurse edhe përdorimi i disa ngjyrave të caktuara që rishfaqen, në të vërtetë shndërrohet në një “epope të përsosur”, në fije që bashkon mozaikun e ngjarjeve me një seri tablosh të ndryshme.

Lagerlof shpiku një mënyrë të re në mjeshtërinë e të shkruarit, me më shumë fantazi dhe bukuri në vend të realizmit, që në atë kohë dominonte literaturën suedeze. Veprat e Lagerlofit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, një pjesë e mirë e të cilave janë përshtatur teatër, opera ose kinema etj.

Selma Lagerlof vdiq më 16 mars 1940, por krijimtaria e saj është ende moderne dhe e kohës.

“Të dhurosh, do të thotë t’i japësh një tjetri atë që do të doje ta mbaje për vete”.