Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të. Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare.

Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota. Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim një të tretën e veprës.

Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. […]