Alegoria e “Shpellës së Platonit” është një nga konceptet më të njohura filozofike në histori.

Pothuajse gjithë filozofia rrjedh nga Platoni.

Alegoria e Shpellës është një koncept i ideuar nga filozofi për të përsiatur mbi natyrën e besimit kundër dijes, një analogji e paraqitur prej tij në librin VII në kryeveprën “Republika”, ku filozofi po eksploronte idenë e një shoqërie ideale përmes virtyteve si drejtësia dhe e vërteta. Shpella është mënyra e Platonit për të shprehur ndryshimin midis asaj që njerëzit shohin dhe realitetit të gjërave, e shkruar në “Republika” si një dialog midis Glaukonit (vëllait të Platonit) dhe filozofit Sokrat. Alegoria na bën të imagjinojmë se jemi të lidhur me zinxhirë në një shpellë. Pas nesh është një zjarr, një burim drite që ne nuk jemi në gjendje të kthehemi dhe ta shohim, përpara nesh ndodhet një mur me hije derdhur nga drita.

Në alegorinë e Shpellës Platoni shpjegon, se shpella përmban të burgosur që janë lidhur me zinxhirë që nga lindja, të paaftë për të parë dritën pas tyre dhe në gjendje të shohin vetëm murin e shpellës përpara tyre. Meqenëse janë të lidhur me zinxhirë që nga lindja, nuk kanë asnjë njohuri për jetën përtej mureve të shpellës, thjesht vetë shpellën dhe më konkretisht murin e hijeve. Pas këtyre të burgosurve, herë pas here, njerëzit do të ecin përpara zjarrit, duke hedhur një hije në mur dhe duke i lejuar të burgosurit të shohin diçka nga ajo që po ndodh pas tyre. Duke parë format e një qeni, një karroce, një vagoni ose një shpate, të burgosurit fillojnë t’u vënë emra këtyre gjërave, duke besuar se po i shohin vetë gjërat.

Filozofia
Kjo analogji u përdor nga Platoni për të provuar dhe shpjeguar ndjenjën e të qenit një filozof që përpiqet të edukojë publikun e gjerë. Injoranca për shumë është lumturi dhe, kur sfidohet realiteti i botës, ose sfidohet perspektiva e individit, sfida shpesh mund të përballet me armiqësi. Është e pakëndshme të pranosh, se bota rreth teje është e ndryshme nga ajo që e ke kuptuar se është, mund të jetë destabilizuese të zbulosh se ajo që beson se është e vërtetë, në fakt është e rreme.

Vetë Sokrati u dënua me vdekje për sfidimin e status quo-së. Alegoria e Shpellës është një eksperiment interesant mendimi. Jemi të vetëdijshëm se perceptimi ynë për gjërat bazohet në vëzhgim konkret, ose thjesht në një pamje të shtrembëruar dhe të njëanshme të një koncepti abstrakt. Kur gjërat janë fizike, si një tavolinë, një krah ose një telefon, ato janë më të lehta për t’u parë dhe shikuar objektivisht. Megjithatë, kur gjërat bëhen më subjektive, si suksesi apo bukuria, ato mund të deformohen nga përvoja, gjykimet, besimet dhe vlerat tona.