Stefan Cvajg, intelektuali me arsye të fortë, një nga mendimtarët dhe një nga mishërimet e idealit evropian, i cili me veprat si “Loja e shahut”, “24 orë nga jeta e një gruaje” apo “Bota e djeshme” u bë pjesë e standardit të letërsisë evropiane, mbetet një nga shkrimtarët më të lexuar në botë.

Shumë i famshëm në të gjallë dhe i lënë pas dore pas vdekjes, për shkak se pacifizmi i tij i sinqertë panevropian dhe refuzimi i palëkundur i ideologjive (përfshirë sionizmin), u përthithën me vështirësi nga të dyja palët gjatë Luftës së Ftohtë, për një kohë të gjatë i nënvlerësuar ose hera-herës i konsideruar fajtor një autor i rangut të dytë apo edhe të tretë, Stefan Cvajg më në fund është rizbuluar dhe rivlerësuar si një nga eksponentët më domethënës të sezonit të jashtëzakonshëm letrar vjenez, i cili në vitet e krizës dhe rënies së Perandorisë Austro-Hungareze pushtoi dhe përshkroi me përkujdesje të veçantë rrënimin e vlerave humaniste.

Për shkrimtarin ekziston një kufi i pakapërcyeshëm, i cili dallon atë që është njerëzore nga ajo që është antinjerëzore. Më shumë se në një hartë gjeografike, duhet kërkuar diku tjetër: në shpirt. Tashmë Cvajgu celebrohet si një dëshmitar i madh i “shekullit të shkurtër”, një tregimtar i klanit më të pastër dhe një hetues i rafinuar i shpirtit njerëzor, i cili arriti t’i shndërrojë zbulimet e bashkëqytetarit të tij, Sigmund Frojdi, në letërsi të mrekullueshme. Gjë e cila, sigurisht, është e vërtetë, por po aq qartë ka qenë kështu edhe më parë.

Nuk është për t’u habitur, për shembull, që në fund të viteve pesëdhjetë, i riu Stenli Kubrik kishte menduar të kthente një nga tregimet e tij më të bukura në film, “Sekret përvëlues”, e gjitha e trajtuar mbi ankthet e një adoleshenti përballë botës së gënjeshtrave dhe ndjenjave të ndërthurua të të rriturve. Ideja nuk u realizua, ose më mirë u realizua disa vite më vonë, përkundrazi, me përshtatjen e “Lolitës” së Nabokovit.

Poeti i realitetit, na lejon të rizbulojmë natyrshmërinë e ndjenjës dhe emocionit që menduam se kishim humbur. T’i referohesh sot Stefan Cvajgut, do të thotë t’i referohesh një etike të admiruar, por edhe të qesëndisur, të trazuar. E rrallë.

Në “Bota e djeshme”, një autobiografi e vitit 1941, Cvajgu shprehet se e vetmja pasuri e vërtetë, që i detyrohet atit të tij shpirtëror Gëtes, është “ndjenja e lirisë së brendshme”.