“Thuajse të gjitha novelat e Tomas Manit kanë ambicien shumë moderniste, për të qenë reflektim i shoqërisë. Gjatë gjithë veprës së tij, ai do të përpiqet të shprehë kompleksitetin e shoqërisë gjermane dhe shoqërive evropiane, gjë që e bën atë një autor të madh gjerman, por edhe evropian”, – shprehet Jean-François Laplénie. 

I lindur me unitetin gjerman Tomas Mani është një nga figurat më të mëdha në letërsinë evropiane të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Simbol i fjalës gjermane, shkrimtari nuk reshti së lartësuari në veprën e tij një këndvështrim të caktuar të Gjermanisë. I lindur me unitetin gjerman, përplasur në klimën nacionaliste që i parapriu Luftës së Madhe, i shpërblyer me çmimin “Nobel” në mes të krizës ekonomike dhe në mes të rritjes së nazizmit, çdo moment historik në jetën e Tomas Manit përshkon historinë e madhe të vendit të tij. “A mund ta tregojmë kohën?” – pyet narratori i “Malit magjik”. “Në të vërtetë, jo, kjo do të ishte një aventurë e çmendur”, – flet me vete. Megjithatë për këtë bëhet fjalë. Nuk është i riu Hans Kastrop personazhi kryesor i romanit, por vetë koha. Autori i “Malit magjik” ia ka kushtuar gjithë veprën e tij portretizimit të një kulture, që ai e konsideron të pandryshueshme dhe të përjetshme. Një kulturë që shkrihet në linjën e shkrimtarëve të mëdhenj romantikë, fuqia rikujtuese e së cilës i lejon Gjermanisë të kapërcejë mizoritë gjenocide të nazizmit. Duke celebruar këto rrënjë laike dhe këtë rrjedhë kulturore, Tomas Mani u ngrit kundër Rajhut të Tretë, gjithë duke ruajtur një lidhje estetike dhe artistike me vendin nga i cili duhej të arratisej nga viti 1933.

Lufta që Tomas Man drejtoi kundër nazizmit, që nga viti 1922, është një luftë shembullore, sepse është ajo e një shkrimtari liridashës dhe jo e një aktivisti. Ai favorizoi trillimin dhe mitin si mjete për të luftuar kundër magjepsjes së ushtruar nga nazizmi dhe pohon qëndrueshmërinë e një Gjermanie kulturore, kozmopolite, burimi i një universi të huaj për të gjitha veçoritë etnike. Gëte, me të cilin identifikohet dhe ku projekton veten, është figura e kësaj Gjermanie.