Nuk duhet të mendoni, se leksionet janë gjëja më e rëndësishme për një student, as që taverna është thjesht një vend ku kalon kohën. E bukura e studium është se ju mësoni, po, nga mjeshtrit, por edhe më shumë nga shokët tuaj, sidomos nga më të mëdhenjtë se ju, kur iu tregojnë atë që kanë lexuar dhe ti zbulon se bota duhet të jetë plot me gjëra të mrekullueshme dhe për t’i njohur të gjitha, meqë jeta nuk do të të mjaftojë për ta përshkuar anekënd botën, s’të mbetet tjetër veçse të lexosh të gjithë librat.

Nuk është e vështirë të trembesh nga mendimi dhe prodhimi i Umberto Ekos: në rrugëtimin e tij të gjatë, duke u zhvendos mes “altove” dhe “basove”, vuri në provë jo vetëm breza lexuesish, por edhe një klasë të tërë intelektualësh, të cilët, vite pas vdekjes së tij, më 19 shkurt 2016, ende e lavdërojnë, por i lodh zbatimi i mësimeve të tij në praktikë. I lindur në Aleksandria, më 5 janar 1932, Umberto Eko ishte një intelektual i kompletuar: filozof, mesjetar, semiolog dhe shkencëtar i masmedias, si dhe autor i eseve, romaneve dhe mbi të gjitha një bibliofil i pasionuar. Pas diplomimit në filozofi, me tezën mbi estetikën e Tomas Akuinasit, ai hyri në qarkun e kulturës së masmedias falë punësimit në RAI-n e sapokrijuar. Gjithsesi, në mendjen e gjithsecilit, Umberto Eko mbetet para së gjithash autori i “Emri i trëndafilit” (1980), një rast letrar ndërkombëtar i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë deri më sot. Gjatë viteve të fundit të jetës, Eko ka mor me diskutime rreth internetit dhe medieve sociale, si dhe për digjitalizimin e leximit.

“Biblioteka nuk është vetëm vendi i kujtesës tënde, atje ku ruan atë që ke lexuar, por vendi i kujtesës universale, ku një ditë, në momentin fatal, mund të gjesh atë që të tjerët kanë lexuar para teje. Një depo ku çdo gjë ngatërrohet dhe gjeneron marramendje, një koktej i memories së kultivuar, por ç’rëndësi ka?…”

Shpesh, kur flasim për Umberto Ekonn dhe marrëdhënien që ai kishte me kulturën e masmedias, gabojmë kur e pandehim si një intelektual “të zbritur nga lart”, që e trajton atë me një vështrim të shkëputur, si një subjekt i jashtëm dhe i papërshkueshëm nga dinamika që qëndron në themel të ekzistencës së TV-së, radios dhe mjeteve të tjera të masmedias.

“Masmedia është kaq e pasur me përcaktime dhe mundësi, saqë krijohet një lojë ndërmjetësimesh dhe referencash, midis një kulture zbulimi, një kulture mirëfilli e konsumit, një kulture e blasfemisë dhe ndërhyrjeve, të cilat janë të vështira për t’u gjurmuar në përkufizimet e bukurisë dhe Kitsch”.