“Gruaja, – thoshte Zigmund Frojdi, – kundërshton ndryshimin dhe pranon në mënyrë pasive pa shtuar asgjë. Po kështu, mashkulli është anatomikisht superior, ndaj gruaja ndjen zili për penisin e mashkullit, duke kuptuar vetëm një fëmijë mashkull”. Këto parime frojdiane u refuzuan gjithmonë nga Sofi Frojdi. Psikosociologia feministe dhe interesante u largua nga kjo jetë vetëm para pak muajsh. Trashëgimia dhe figura e saj përbëjnë padyshim një kanavacë shumë sugjestive për historinë e psikanalizës.

Sofi Frojdi, kujton kur vizitonte gjyshin çdo të diel. Ajo e përshkruan si një njeri jo shumë i përzemërt, një figurë madhështore dhe e ftohtë, që nuk fliste shumë. Po ashtu, ishte një person që jetonte me dhimbje për shkak të kancerit të gojës të shkaktuar nga varësia ndaj duhanit. Mendojmë gjithashtu se vitet e fundit të atit të psikanalizës, ishin veçanërisht të vështira. Neglizhenca për të ndjekur terapinë, ia zgjati vuajtjen drejt një kufiri thuajse çnjerëzor. Përveç kësaj, siç zbulojnë studime të ndryshme, ai ka shumë të ngjarë të ketë vdekur nga eutanazia. Sido që të jetë, mbesa pranon se humbja e gjyshit ka lënë gjurmë, por falë karakterit të vendosur dhe të pavarur, ajo e kapërceu shpejt atë boshllëk. Përfundimisht, ajo dhe nëna e saj Esti arritën të distancohen nga klani i Frojdit dhe të kenë një jetë mjaft të rehatshme në Shtetet e Bashkuara.

Një pjesë e punës së Sofi Frojdit në universitet iu kushtua kërkimit. Në vitin 1970, ajo filloi të rishikonte punën e gjyshit mbi gratë dhe narcizmin. Pas shumë intervistave, kundërshtoi Zigmund Frojdin në pretendimin e tij se vetëm burrat demonstrojnë “pasion të vërtetë”. Edhe gratë janë konkurruese, të vendosura dhe luftojnë për qëllimet e tyre si gjinia mashkullore. Studimi i pasionit te femrat ishte një nga temat e saj të preferuara, po edhe promovimi i të drejtave të grave në universitete dhe lufta kundër një realiteti tjetër shumë të zakonshëm të asaj kohe. Sofi Frojdi hodhi themelet sociale, që vajzat e reja të kuptojnë se të ngelurit shtatzënë dhe të jesh nënë, nuk duhej të kufizonte edukimin e tyre. As për punën dhe aspiratat profesionale. Sofi Frojdi, shumë herët do të haste refuzimin e familjes.  Po ashtu qe shumë kritikuese ndaj pikëpamjes patriarkale të gjyshit të saj për seksualitetin femëror. Figura e gruas në strukturën teorike të psikanalizës ishte, sipas mendimit të saj, poshtëruese./Botimet NAZARKO