Në këtë histori, me një përsosmëri stilistike absolute, pena e pamëshirshme e Tolstoit përshkruan, me hollësi të pashembullta dhe mjeshtëri të pakrahasueshme, dobësimin progresiv fizik dhe metamorfozën e mëpasme psikologjike të një borgjezi të kënaqur në kulmin e karrierës së tij.

Vdekja zë një vend qendror në letërsinë ruse dhe kjo novelë është kuintesenca e qëndrimit rus ndaj saj, një orvatje për të parë vdekjen në fytyrë. Tolstoi përshkruan në detaje procesin e vdekjes së Ivan Iliçit. Në fund, kur jep frymën e fundit, tmerri i vdekjes së Ivanit e prapëson atë, sugjeron Tolstoi, dhe vetë vdekja zhduket.

Ashtu, si në të vërtetë, bën edhe vetë jeta. Për të parafrazuar një personazh nga “Mjeshtri dhe Margarita”, drama e njeriut nuk është se ai është i vdekshëm, por fakti se vdekshmëria e tij ndonjëherë vjen papandehur. Dhe derisa të ndodhë, askush nuk është i vetëdijshëm për të.

Tolstoi përshkruan jo vetëm vdekjen, por vdekjen e Ivan Iliçit, i cili pëson një rënie në dukje të parrezikshme. Por me kalimin e kohës, dhimbja intensifikohet dhe Ivani bëhet nervoz dhe së fundi zë shtratin. I shtrirë aty, me mendje ripërshkon gjithë rrugëtimin e jetës dhe ngushëllimin e vetëm e gjen vetëm tek dikush që kurrsesi më parë nuk do ta kishte menduar as t’i fliste…

Pa dyshim, ky është teksti më emocionues dhe më racional për vdekjen dhe vetminë e njerëzve në hekë.

Tolstoi tregon vetëm historinë e një njeriu, i cili, me besimin se ka qenë i suksesshëm në jetë, e kupton, in extremis, se i ka ikur nga duart, se nuk ka jetuar. Ky zbulim buron nga dhimbja e një trupi të sëmurë, që dhjetëfishon forcat e një shpirti befas të gjallëruar, shtron pyetjen e vetme që ia vlen: çfarë ke bërë me jetën tënde?

Përmes një historie të lidhur vazhdimisht me rëndësinë e fakteve: sëmundjen, indiferencën e shoqërisë, suksesin shoqëror, Tolstoi kompozon një traktat të vogël mbi metafizikën. Dhe nëse të krijohet përshtypja, se fjalën e fundit ia jep dëshpërimit, e bën për të treguar më mirë mbretërinë e dhimbshme të njeriut që ka fuqinë për të hyrë në të vërtetën e tij.

Kjo histori do t’iu bëjë të kujtoni, se vdekja mund t’iu presë në shkallaren tjetër të shkallëve lëvizëse (shpresojmë që të mos jetë).