Xhek London (Jack London) ishte shkrimtari i madh i aventurës së përjetshme, një fotograf i shkëlqyer, një reporter lufte i pakrahasueshëm, një gazetar sportiv, veçanërisht i boksit, një militant politik radikal dhe mbrojtës i të drejtave të punëtorëve, por edhe e mbi të gjitha një udhëtar i paepur.

Të gjitha këto elemente e bëjnë atë prototipin e tregimtarit të madh të një epoke dhe një legjendë të vërtetë të të gjitha kohërave. Po ashtu, gjithë kësaj duhet t’i shtohet edhe një jetë endacake dhe e paharrueshme: pirat gocash deti, punëtor, marinar dhe gjuetar fokash, mori pjesë në kërkimin e arit në Klondike.

Mbi të gjitha ishte një njeri simbol i shpengimit shoqëror, siç shkruante në vitin 1905 në “Çfarë është jeta për mua”. “Vendi im në këtë shoqëri ishte në abise, ku jeta ofronte vetëm mjerim dhe fatkeqësi, atje, në thellësi, mishi dhe shpirti po aq të uritur, sa edhe të trazuar”.

Nga romanet përmendim disa, që tashmë janë klasikë letrarë të të gjitha kohërave: “Dhëmbi i bardhë”, “Thirrja e pyllit” , “Martin Eden”, “Rruga”, “Aventurat e kapitenit Grif” etj., si dhe reportazhet e famshme “Populli i abisit” apo “Lundrimi me Snark”, kur, në vitin 1907, ai përshkoi Paqësorin së bashku me të shoqen, Charmian, duke arritur në Hauai, një udhëtim gjatë të cilit ai takoi edhe Ernest Darling, “njeriun natyrë” në Papeete, Tahiti. Fotot e shkrepura i quajti me largpamësi “dokumente njerëzore”, ndërsa kodaku i pandashëm ushqeu raporte të paharrueshme, si ato në Londër në 1902 midis lagjeve të varfra, ose gjatë luftës ruso-japoneze të vitit 1904, ndër të tjera tërmeti i San Franciskos 1906.

Një talent jashtëzakonisht pjellor, në vetëm 40 vjet jetë (1876-1916) ai shkroi 40 libra artistikë, 7 drama, 12 libra me ese dhe reportazhe, një numër të pafund artikujsh gazetareskë dhe, midis viteve 1906 dhe 1916, shkrepi mbi dymbëdhjetë mijë foto. Më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, Xhek London është po aq i rëndësishëm sa kurrë, edhe nëse jetë të tilla aventureske janë të pakta.

“Aventurat e kapitenit Grif” – një libër me histori argëtuese, atmosferike dhe plot aksion, por e vështirë për t’u marrë deri tani – tregimet e shkurtra përqendrohen në bëmat emocionuese të kapitenit Grif në detet e rrezikshme dhe ekzotike të jugut.

Kapiteni Grif takohet me aventurierë, horra, piratë dhe oportunistë, që ndjekin shembullin e paraardhësve të tyre kolonialë që shfrytëzonin ishujt dhe burimet e tyre në fillim të shekullit të njëzet. Frymëzuar nga vetë udhëtimi i autorit nëpër detet e jugut, në bordin e varkës Snark, këto histori përshkruajnë një pamje shumëngjyrëshe – dhe nganjëherë të tmerrshme – të Paqësorit të largët të jugut.

“Jeta jetoi nga jeta. Kishte nga ata që gllabëruan dhe nga ata që u gllabëruan”.