Kush e ka lexuar librin “Lulet e mollës” së Xhon Gollsuorthit dhe nuk është prekur nga dashuria tragjike e Migen Devidit, një vajzë e thjeshtë ferme me Frenk Esherestin, një student nga familje fisnike i cili kishte bujtur disa ditë në fermën e të afërmve të tij, apo nga historitë magjepsëse të peripecive të dashurisë tek “Saga e Forsajtëve” etj.

Novela “Lulet e mollës” mbetet një nga novelat më të bukura të Gollsuorthit, e cila zbulon jo vetëm pikat e forta, por edhe dobësitë e artit të tij. Dy të dashuruarit, Frenku dhe Migen, kanë pika të shumta kontrasti: ata janë mashkull dhe femër, anglo-sakson dhe kelt, kumbues i qytetërimit dhe fëmija i natyrës, zotëri dhe vajzë e zakonshme. Të gjitha këto dallime janë aspekte të asaj që për Gollsuorth është një polaritet i madh: shfrytëzues dhe i shfrytëzuar.

Historitë që ai trajton përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe emocionesh, nga dëshpërimi dhe vdekja, tek shpëtimi dhe shpresa. Fundi tragjik i Migenit është realiteti i kohës kur Gollsuorthi shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Një anglez i sërës së lartë i epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme, edhe nëse e donte.

The English novelist and dramatist John Galsworthy (1867-1933) best known for his series of novels about the affluent middle class Forsythe family including To Let. 1927. (Photo by © Hulton-Deutsch Collection/CORBIS/Corbis via Getty Images)

Xhon Gollsuorthi është një nga autorët më të njohur anglez, një nga shpirtrat që skaliti me pasion dhe përkushtim, me zjarr dhe ndjenjë, saqë edhe sot, pasi i ke lexuar dhe rilexuar veprat e tij të përlotin, të magjepsin. Lindi më 14 gusht 1867, në Kingston Hill, dhe vdiq më 31 janar 1933, novelist dhe dramaturg, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi në 1932.

Gollsuorthit nuk i pëlqeu avoktia, kështu që filloi të shkruante. Për veprat e para: “Nga katër erërat” (1897), një koleksion tregimesh të shkurtra dhe romani: “Zhoselin” (1898), të dy të botuar me shpenzimet e veta, ai përdori pseudonimin John Sinjohn. “Farisenjtë e ishullit” (1904) ishte libri i parë që u shfaq nën emrin e tij.“Njeriu i pronës” (1906) fillon rendin e njohur si “Saga e Forsajtëve”, me të cilën mbahet mend kryesisht Gollsuorthi. Saga jep kronikën e jetës së tre gjeneratave të një familje të madhe, të mesme dhe të thjeshtë, në fillim të shekullit.

Gollsuorthi ishte gjithashtu një dramaturg i suksesshëm, dramat e tij, të shkruara në një stil natyror, zakonisht shqyrtojnë një problem të diskutueshëm etik ose social. Ato përfshijnë “Kutia e florinjtë” (1906), i cili, si shumë nga veprat e tjera, ka një temë ligjore dhe përshkruan një kontrast të ashpër të trajtimit të ligjshëm të të pasurve dhe të varfërve; “Konflikti” (1909), një studim i marrëdhënieve industriale; “Drejtësia” (1910), një portretizim realist i jetës së burgut që ngriti aq shumë ndjenjën, sa çoi drejt reformës; dhe “Besnikëritë” (1922), më e mira e punëve të tij të mëvonshme. Shkroi gjithashtu edhe poezi. Shkroi “Një komedi moderne”, “Kapitulli i fundmë” etj.

Romanet e Gollsuorthit, nga përkora e psikologjisë së komplikuar dhe pikëpamja e tyre shumë e thjeshtuar sociale, u pranuan si modele besnike të jetës angleze për njëfarë kohe.

Gollsuorthi mbahet mend për këtë evokim të jetës viktoriane dhe eduardiane të klasës së mesme dhe për krijimin e tij të Soames Forsajt, një personazh i papëlqyeshëm, i cili gjithsesi detyron simpatinë e lexuesit.

Përveç statusit letrar, Gollsuorthi ishte gjithashtu një aktivist i njohur për çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të grave, reforma e burgjeve dhe mbrojtja e kafshëve.